Verse 1 — Surah Yusuf 12:1
Alif Lam Ra. Ato janë ajete të librit të qartë
Verse 2 — Surah Yusuf 12:2
E shpallim Kur’an në gjuhën arabe që ta kuptoni
Verse 3 — Surah Yusuf 12:3
Ne ty të rrëfejmë, duke të shpallur këtë Kur’an, më të bukurin rrëfim, edhe pse përpara tij ke qenë indiferent
Verse 4 — Surah Yusuf 12:4
Kur i tha Jusufi babës së vet: “O babai im, kam parë në ëndërr njëmbëdhjetë yje, edhe Diellin edhe Hënën e kam parë, si më bënin sexhde mua”
Verse 5 — Surah Yusuf 12:5
Ai tha: “O biri im, mos ua rrëfe ëndrrën tënde vëllezërve tu, sepse do të bëjnë ndonjë kurthë; djalli, s’ka dyshim, është armik i hapët i njeriut
Verse 6 — Surah Yusuf 12:6
Dhe ja, ashtu Zoti yt ty të zgjodh dhe po ta mëson komentimin e ëndërrave, dhe ty edhe familjes së Jakubit u jep dhuntinë e vet, siç ua ka dhënë më parë të parëve të tu: Ibrahimit dhe Is-hakut. Zoti yt, njëmend, është i dijshëm, i urtë”
Verse 7 — Surah Yusuf 12:7
Te Jusufi dhe vëllezërit e tij ka argumente për ata që pyesin
Verse 8 — Surah Yusuf 12:8
Kur ata thanë: “Jusufi dhe vëllau i tij janë më të dashur për babën tonë se sa ne, kurse ne jemi grup i fortë. Babai ynë, me të vërtetë, po gabon haptazi
Verse 9 — Surah Yusuf 12:9
Mbyteni Jusufin ose shpjerne dikung larg e babai juaj do t’u kthehet juve, e pastaj ju do të bëheni njerëz të mirë”
Verse 10 — Surah Yusuf 12:10
Njëri nga ata tha: “Nëse keni vendosur që ta bëni këtë, atëherë mos e mbytni Jusufin, por lëshojeni në fund të ndonjë bunari që ta marrë ndonjë karavan”
Verse 11 — Surah Yusuf 12:11
“O baba ynë, - thanë ata, - ç’është me ty që nuk ke besim te ne për Jusufin? Ne me siguri e këshillojmë
Verse 12 — Surah Yusuf 12:12
Dërgoje nesër le të vijë me ne të zbavitet e të luaj, ne me siguri do ta ruajmë”
Verse 13 — Surah Yusuf 12:13
Do të më vij, keq tha ai, nëse e merrni, dhe frikësohem mos po e han ujku kur t’i shmanget kujdesit tuaj”
Verse 14 — Surah Yusuf 12:14
“Si bëhet ta hajë ujku, shih ne se çfarë grupi jemi?! – i thanë ata, ne atëherë më mirë mos qofshim
Verse 15 — Surah Yusuf 12:15
Pasi që e morën dhe e vendosën ta hudhin në fund të bunarit, ne i shpallëm: “Ti do t’i informosh për këtë vepër të tyre, e ata nuk do ta hetojnë”
Verse 16 — Surah Yusuf 12:16
Dhe në mbrëmje erdhë te babai i vet duke qarë
Verse 17 — Surah Yusuf 12:17
“O baba ynë, - thanë, - patëm shkuar të vrapojmë në gara dhe Jusufin e lam te rrobat tona, por atë e hëngër ujku. Ti nuk do të besosh, edhe pse ne të themi të vërtetën”
Verse 18 — Surah Yusuf 12:18
Dhe ia sollën këmishën e tij me gjak të rrejshëm. “Jo, - tha ai, - në këtë punë u kanë shtyrë epshet tuaja. Unë kam durim të mirë. Prej All-llahut kërkohet ndihmë ndaj asaj si po e përshkruani”
Verse 19 — Surah Yusuf 12:19
Dhe erdh një karavan, dhe e dërguan ujëbartësin e tyre dhe e lëshoi kovën e vet. “Sihariq”, bërtiti ai, “ky është një djalosh!” dhe ata e fshehën në rrobat e tyre, por All-llahu e dinte mirë se çka bënin
Verse 20 — Surah Yusuf 12:20
Dhe e shitën krejt lirë, për disa grosh, mezi pritnin ta shmangin
Verse 21 — Surah Yusuf 12:21
Ai i cili e pat blerë, ishte nga Egjipti, i tha gruas së vet: “Bëni qëndrim të këndshëm këtu se ndoshta na bëhet i dobishëm, ose do ta bëjmë si djalë”. Dhe ja, ashtu ne e vendosëm Jusufin mirë në tokë, për t’ia mësuar komentimin e ëndërrave. All-llahu është ngadhnjimtar në punën e vet, por shumica e njerëzve nuk e dinë
Verse 22 — Surah Yusuf 12:22
Dhe kur arriti pjekurinë, ne e pajisëm me urtësi e dituri, ashtu ne shpërblejmë ata të cilët bëjnë vepra të mira
Verse 23 — Surah Yusuf 12:23
Dhe ajo, në shtëpinë e së cilës ishte, u mashtrua, prandaj ia mbylli dyert dhe i tha: “Eja!” “Ruaj o Zot”, - tha ai, “zotëriu im ka treguar kujdes ndaj meje dhe me siguri të padrejtët nuk do të shpëtojnë”
Verse 24 — Surah Yusuf 12:24
Ajo e pat dëshiruar atë, edhe ai atë sikur të mos e kishte parë argumentin e Zotit të vet. Ashtu u bë që nga ai të largojmë të keqen dhe amoralitetin, sepse ai me të vërtetë është nga robërit tanë të sinqertë
Verse 25 — Surah Yusuf 12:25
Dhe ata të dy vrapuan kah dera, prandaj ajo ia grisi këmishën nga shpina – dhe afër derës e hasi burrin e vet: “Çfarë dënimi meriton ai i cili dëshiron t’i bëjë keq familjes tënde”, - tha ajo, - “në mos burgosje a dënim të dhembshëm”
Verse 26 — Surah Yusuf 12:26
Ai tha: “Ajo provoi të më hedhë në mëkat”. Një dëshmitar nga të afërmit e saj shtoi: “Nëse këmisha e tij, është e shkyer prej anës së parme atëherë ajo flet të vërtetën, kurse ai të pavërtetën
Verse 27 — Surah Yusuf 12:27
Po në qoftë se këmisha e tij është e shkyer nga prapa, atëherë ajo gënjen kurse ai është i drejtë”
Verse 28 — Surah Yusuf 12:28
Dhe kur ai e pa se këmisha e tij është e shkyer nga prapa ai tha: “Kjo është një dredhi e jotja, dredhia jote është me të vërtetë e madhe!”
Verse 29 — Surah Yusuf 12:29
“Ti, o Jusuf, lërë këtë, kurse ti, i tha asaj, kërko falje për mëkatin tënd se me të vërtetë ti ke qenë gabimtare
Verse 30 — Surah Yusuf 12:30
Edhe gratë e qytetit filluan të flasin: “Gruaja e atij funksionarit (Azizit) ka dashur ta mashtrojë atë djaloshin shërbëtor, është dashuruar marrëzisht! Ne mendojmë se ajo është në humbje flagrante”
Verse 31 — Surah Yusuf 12:31
Dhe ajo kur dëgjoi përgojimet e tyre, dërgoi e i thirri dhe u përgatiti një gosti (ndejë) dhe secilës prej tyre i dha nga një thikë dhe tha: “Dil përpara tyre!” dhe kur ato e panë këtë (Jusufin) u shashtrisën dhe i prenë e coptuan duart e veta, dhe thanë: “O Zot! O Zot! Ky nuk qenka njeri, ky qenka një engjull fisnik!”
Verse 32 — Surah Yusuf 12:32
“Ja, kjo është për çka më keni qortuar – tha ajo. Përnjëmend desha ta mashtroj, por ai kundërshtoi. Nëse nuk e bënë atë çka i urdhëroj unë atij, pa dyshim, do të burgoset dhe do të jetë i poshtëruar”
Verse 33 — Surah Yusuf 12:33
“O Zoti im, - tha ai, - më tepër e dëshiroj burgun se sa atë ku më shpiejnë ato! Dhe nëse ti nuk më largon dredhinë e tyre unë mund të ndiej simpati ndaj tyre e të bëhem injorant”
Verse 34 — Surah Yusuf 12:34
Dhe Zoti i tij e pranoi lutjen e tij dhe e shpëtoi nga kurthat e tyre. Ai, me të vërtetë, dëgjon dhe di shumë
Verse 35 — Surah Yusuf 12:35
Pastaj u ra ndërmjend, edhe pse i panë argumentet, që për një kohë të caktuar ta burgosin me çdo kusht
Verse 36 — Surah Yusuf 12:36
Bashkë me të, në burg ranë edhe dy djelmosha. Njëri prej tyre dyve i tha: “Kam parë një ëndërr sikur po shtrydhja rrushin”, kurse tjetri tha: “Unë kam parë një ëndërr se isha duke bartur mbi krye një bukë nga e cila hanin zogjtë. Na e komento këtë, ne e shohim se ti njëmend je njeri i mirë”
Verse 37 — Surah Yusuf 12:37
“Asnjë shujtë e ushqimit nuk do t’u sillet e unë të mos di t’ju them, më parë, se çka do të merrni, u tha Jusufi. Kjo është vetëm një pjesë nga ajo që ma ka mësuar Zoti im, unë e kam lëshuar rrugën e një populli, i cili nuk i beson All-llahut, ata edhe botën tjetër e mohojnë
Verse 38 — Surah Yusuf 12:38
Dhe kam pasur fenë e të parëve të mi, Ibrahimit dhe Is-hakut edhe Jakubit; neve nuk na ka hije t’i bëjmë shok All-llahut. Çka do qoftë ajo, shtë mirësi e All-llahut ndaj nesh dhe njerëzve të tjerë, por shumica e njerëzve nuk janë mirënjohës
Verse 39 — Surah Yusuf 12:39
O shokët e mi të burgut! A janë zotërat e llojllojshëm më të mirë apo All-llahu, i vetmi ngadhnjimtar
Verse 40 — Surah Yusuf 12:40
Ata që i adhuroni në vend të All-llahut janë vetëm emra me çka i keni emërtuar ju dhe baballarët tuaj, All-llahu nuk u ka shpallur kurrfarë argumenti. Gjykimi i takon vetëm Alllahut, Ai ka urdhëruar të mos adhuroni askë përveç Atij. Ajo është e vetmja fe e qëndrueshme, por shumica e njerëzve nuk e dinë
Verse 41 — Surah Yusuf 12:41
O shokët e mi të burgut! Njëri prej jush do t’i japë të pijë verë zotëriut të vet, kurse tjetri do të jetë i gozhduar dhe shpendët do të hanë nga koka e tij. Tani është e qartë çështja për të cilën ju të dy kërkuat interpretim”
Verse 42 — Surah Yusuf 12:42
Dhe atij nga ata të dy, për të cilin mendonte se do të shpëtojë, i tha, lajmëroje zotëriun tënd për mua. Mirëpo djalli ia mori mendjen dhe ky harroi ta përmend tek zotëriu i vet dhe ai (Jusufi) mbeti në burg disa vjet
Verse 43 — Surah Yusuf 12:43
Dhe kur mbreti i tha: “Kam parë ëndërr se shtatë lopë të dobëta i hanin shtatë lopë të majme, dhe shtatë kallinj të njomë dhe po aq të tjerë të tharë (të pjekur); “O pari, nëse dini të komentoni ëndërrat, ma komentoni ëndërrën time!”
Verse 44 — Surah Yusuf 12:44
Ëndrra të ndërlikuara, i thanë ata. Ne nuk dimë të komentojmë ëndrra
Verse 45 — Surah Yusuf 12:45
dhe atëherë, pas aq vjetësh, njëri që shpëtoi nga ata dy, u kujtua dhe tha: “Unë do t’u komentoj ëndrrën, vetëm se të më lejoni të shkoj (te Jusufi)”
Verse 46 — Surah Yusuf 12:46
“O miku Jusuf, shpjegona ç’do të thotë shtatë lopë të dobëta i hanin shtatë të majme; dhe shtatë kallinj të njomë dhe shtatë të tjerë të tharë, - dhe të kthehem te njerëzit që edhe ata ta dinë këtë”
Verse 47 — Surah Yusuf 12:47
Ai i tha: “Do të mbillni shtatë vjet me radhë, dhe atë çka e korrni e lini në kallinj (në depo), përveç asaj pakice që e hani
Verse 48 — Surah Yusuf 12:48
Sepse pas asaj do të vijnë shtatë vjet të vështira që do ta hanë atë çka keni përgatitur për të, përveç asaj pakice që do ta ruani
Verse 49 — Surah Yusuf 12:49
Pastaj, pas asaj, do të vijnë vite kur njerëzit do të jenë të ngimë me shi dhe do të marrin lëngje”
Verse 50 — Surah Yusuf 12:50
Dhe mbreti tha: “Ma sillni atë”! Dhe kur i erdh këtij (Jusufit) i deleguari, ai i tha: “Kthehu te zotriu yt dhe pyete: çka u bë me ato gratë që i patën pre duart e veta. Zoti im i di mirë kurthat e atyre”
Verse 51 — Surah Yusuf 12:51
U tha: “Çka po thuani ju që deshët ta shpjerni Jusufin në mëkat?” Ruana Zot, - thanë ato – ne nuk dimë kurrgjë të keqe për të! “Tani do të dalë në shesh e vërteta, - tha gruaja e funksionarit (Azizit). Unë kam pas dashur ta mashtroj, kurse ai njëmend është i sinqertë
Verse 52 — Surah Yusuf 12:52
Ashtu ai le ta dijë se unë nuk e kam tradhtuar, në mosprezencë, dhe All-llahu nuk u hap udhë kurthave të qëllimkëqijve
Verse 53 — Surah Yusuf 12:53
Unënuk e arsyetoj veten sepse epshi anon në të keqe, përveç asaj çka mëshiron Zoti im. Zoti im njëmend fal dhe është mëshirëplotë”
Verse 54 — Surah Yusuf 12:54
Dhe sunduesi tha: “Ma sillni, do ta liroj e ta marr në suitën time”, dhe pasi bisedoi me të i tha: “Prej sot ti do të jesh te ne njeri me pozitë të besueshme”
Verse 55 — Surah Yusuf 12:55
“Më bën, - tha, - përgjegjës të depove në vend, unë jam me të vërtetë roje e stërvitur”
Verse 56 — Surah Yusuf 12:56
Dhe ashtu ne i mundësuam Jusufit të qëndrojë në vend, kudo që të dëshirojë. Me mëshirën tonë mbulojmë kë duam dhe nuk lejojmë të humbë shpërblimi për bëmirësit
Verse 57 — Surah Yusuf 12:57
Kurse shpërblimi i botës tjetër është më i mirë për ata që kanë besuar dhe ruhen e frikësohen
Verse 58 — Surah Yusuf 12:58
Dhe vëllezërit e Jusufit erdhën dhe hynë tek ai, e ai i njofti, por ata nuk e njohën fare këtë
Verse 59 — Surah Yusuf 12:59
Dhe pasi i furnizoi me ushqim të nevojshëm, u tha: “Të ma sillni njërin prej vëllezërve tuaj që e keni prej babe! A nuk e shihni se ia jap tërë shuajtën dhe jam nikoqiri më i mirë
Verse 60 — Surah Yusuf 12:60
Në qoftë se nuk ma sillni atë, te unë nuk keni më shujtë ushqimi dhe mos eni!”
Verse 61 — Surah Yusuf 12:61
“Do të bëjmë çmos, - thanë ata, - që ta largojmë disi nga babai i tij dhe do ta bëjmë këtë”
Verse 62 — Surah Yusuf 12:62
Kurse Jusufi u tha shërbëtorëve të vet: “Ngarkoni barrët e tyre në kafshët e tyre, ata kur do të kthehen te familja e vet do t’i njohin dhe ndoshta do të kthehen përsëri”
Verse 63 — Surah Yusuf 12:63
Dhe kur u kthyen te baba i vet thanë, “O baba i ynë, nuk na jep më ushqim, andaj dërgoje me ne vëllaun tonë që të marrim ushqim, dhe ne me siguri do ta ruajmë”
Verse 64 — Surah Yusuf 12:64
“A t’u besoj, - tha ai, - siç ua besova më parë vëllaun e tij? Dhe All-llahu është ruajtësi më i mirë dhe Ai është më i mëshirshmi i mëshirëplotëve!”
Verse 65 — Surah Yusuf 12:65
Dhe kur i hapën barrët e veta i gjetën sendet e tyre që u ishin kthyer, thanë: “O baba i ynë ç’të bëjmë? Ja, këto janë rrobet tona, na janë kthyer prapa. Edhe me ushqim do të furnizojmë familjen tonë edhe vëllaun tonë do ta ruajmë, aq më mirë do të shtojmë më tepër një barrë deveje ushqim, ajo është krejt lehtë”
Verse 66 — Surah Yusuf 12:66
“Unë, - tha, - nuk do ta dërgoj me ju deri sa të më jepni besën e All-llahut seriozisht se me të vërtetë do të ma sillni prapë, gjithsesi nëse nuk pësoni ndonjë të papritur. “dhe pasi që ata iu besatuan, tha: “All-llahu është dorëzanë për këtë çka themi!”
Verse 67 — Surah Yusuf 12:67
O bijtë e mi, - u tha, - mos hyni vetëm për një dere, por hyni në dyer të ndryshme! Unë nuk mund t’ju shpëtoj prej All-llahut aspak. Gjykimi i takon vetëm All-llahut! Unë jam mbështetur te Ai dhe te Ai le të mbështeten ata qëduan të mbështeten!”
Verse 68 — Surah Yusuf 12:68
Dher kur hynë ashtu siç u kishte urdhëruar babai i tyre, ajo nuk u ndihmoi aspak nga ajo që kishte caktuar All-llahu, përveç nevojës personale të Jakubit, që e realizoi, sepse ai me të vërtetë ka qenë dijetar i madh, në atë çka e kemi mësuar, mirëpo shumica e njerëzve nuk e dinë
Verse 69 — Surah Yusuf 12:69
Dhe kur hynë te Jusufi, ai e uli afër vetes vëllaun e vet dhe i tha: “Unë jam me të vërtetë vëllau yt, dhe mos u pikëllo për ate çka kanë bërë!”
Verse 70 — Surah Yusuf 12:70
Dhe pasi që i furnizoi me ushqim të nevojshëm, në barrën e vëllaut të vet futi një gotë e pastaj një lajmëtar filloi të bërtiste: “O karavan, ju, njëmend, paskëshit vjedhur!”
Verse 71 — Surah Yusuf 12:71
I thanë, dhe iu qasën. “Çka keni humbur
Verse 72 — Surah Yusuf 12:72
Thanë, “Kemi humbur gotën e mbretit, dhe kush e sjell atë do të fitojë një barrë deveje me ushqim. Për këtë unë garantoj”
Verse 73 — Surah Yusuf 12:73
Për All-llahun! – thanë ata, - ju e dini se ne nuk kemi ardhë të bëjmë turbullira në vend, dhe ne nuk jemi vjedhës”
Verse 74 — Surah Yusuf 12:74
Ata u thanë: “Po çfarë dënimi ka nëse gënjeni?”
Verse 75 — Surah Yusuf 12:75
“Dënimi i atij në barrën e të cilit gjendet – u përgjigjën – është vetë ai. Ja, ashtu i dënojmë mizorët!”
Verse 76 — Surah Yusuf 12:76
Dhe ua filloi thasëve të tyre, së pari thesin e vëllaut të vet dhe e nxori gotën nga thesii vëllaut të vet. Kështu ne e mësuam Jusufin të veprojë. Ai sipas ligjit të mbretit të vet nuk mund ta ndalte vëllaun e vet, përveç me dëshirë të All-llahut. Ne lartësojmë atë që duam dhe mbi çdo dijetar ka edhe një dijetar (më të dijshëm)
Verse 77 — Surah Yusuf 12:77
“Nëse ka vjedhur, thanë ata, po edhe vëllau i tij, më heret, pat vjedhur!” Mirëpo Jusufi edhe këtë e fshehu, nuk e hetuan”. Ju, - u tha, - jeni në pozitë më të keqe, dhe All-llahu e di mirë atë çka e shfaqni dhe përshkruani ju”
Verse 78 — Surah Yusuf 12:78
I thanë: “O i nderuar (Aziz), ai ka një babë shumë plak, prandaj merre njërin nga ne në vend të atij! Ne e shohim si ti je njeri bamirës”
Verse 79 — Surah Yusuf 12:79
“Zoti na ruajtë! – tha ai, - si të marrim tjetër në vend të atij ku e gjetëm gotën tonë?! Atëherë ne jemi mizorë!”
Verse 80 — Surah Yusuf 12:80
pasi që i humbën tëra shpresat, u konsulltuan në një anë, dhe më i vjetri ndër ata tha: “A nuk e dini se babës tuaj ia keni dhënë besën e All-llahut, e më herët çka bëtë me Jusufin? Unë nuk e lëshoj dot këtë vend derisa të ma lejojë këtë babai im ose All-llahu të më gjykojë, dhe ai është më i miri gjykatës”
Verse 81 — Surah Yusuf 12:81
Kthehuni te babai juaj dhe thuani: “O baba i ynë, yt bir ka vjedhur; dhe ne nuk dëshmojmë tjetër përveç asaj çka e dimë dhe ne nuk kemi mundur t’i ruhemi të padukshmes
Verse 82 — Surah Yusuf 12:82
Pyete qytetin ku kemi qëndruar dhe karavanin me të cilin kemi ardhur! Ne, pa dyshim, flasim të vërtetën”
Verse 83 — Surah Yusuf 12:83
“Jo, - tha (Jakubi), - po juve në këtë vepër u ka shty epshi, andaj durim të mirë! Ndoshta All-llahu të gjitha do të m’i kthejë. Me të vërtetë Ai është shumë i dijshëm, i urtë!”
Verse 84 — Surah Yusuf 12:84
U kthye prej atyre dhe tha: “O mjeri unë për Jusufin!” dhe sytë iu patën zbardhur nga pikëllimi, ka qenë shumë i pikëlluar
Verse 85 — Surah Yusuf 12:85
“Për All-llahun! Thanë ata, - ti aq e përmend Jusufin sa që është dro se do të sëmuresh rënd dhe do të shkatërrohesh”
Verse 86 — Surah Yusuf 12:86
“Unë, - tha ai, - dhembjen dhe pikëllimin tim i shpreh te All-llahu dhe nga All-llahu di diçka që ju nuk e dini”
Verse 87 — Surah Yusuf 12:87
“O bijt e mi, shkoni dhe interesohuni për Jusufin dhe vëllaun e tij, dhe mos e humbni shpresën në mëshirën e All-llahut. Vetëm mosbesimtarët e humbin shpresën në mëshirën e All-llahut”
Verse 88 — Surah Yusuf 12:88
Dhe kur hynë tek ai thanë: “O i denji funksionar (Aziz), neve dhe familjen tonë na ka goditur e keqja e madhe, kemi sjellë ca gjëra, e ti na plotëson shujtën tonë dhe jepna lëmoshë, sepse All-llahu, njëmend, i shpërblen ata që japin lëmoshë”
Verse 89 — Surah Yusuf 12:89
“A e dini, - u tha, - çka keni pas bërë me Jusufin dhe vëllaun e tij, kur ishit injorantë?”
Verse 90 — Surah Yusuf 12:90
“A ti je, njëmend, Jusufi?” – thirrën ata. “Unë jam Jusufi, - tha, - dhe ky është vëllau im! Neve na ka mëshiruar All-llahu. Kush i frikësohet All-llahut dhe duron, pa dyshim, All-llahu nuk lejon të humbë shpërblimi i bëmirësave”
Verse 91 — Surah Yusuf 12:91
“Për All-llahun! – thanë ata, - All-llahu të ka lartësuar mbi ne, kurse ne me të vërtetë kemi gabuar”
Verse 92 — Surah Yusuf 12:92
“Unë, - tha ai, - sot nuk kamë qortim për ju, All-llahu do t’ju falë, Ai është i mëshirshmi mëshirëplotë
Verse 93 — Surah Yusuf 12:93
Çojeni këtë këmishë timen dhe vënia babës tim në fytyrë, atij do t’i vijnë sytë (i kthehet të pamurit), dhe ma sillni tërë familjen tuaj!”
Verse 94 — Surah Yusuf 12:94
dhe kur karavani u largua (nga Egjipti), babai i tyre tha, “Unë, njëmend, po ndiej erën e Jusufit, në mos më konsiderofshi tëmatufosur ose të rralluar (nga pleqëria).”
Verse 95 — Surah Yusuf 12:95
“Për All-llahun! – thanë ata, - ti je njëmend në humbjen e vjetër”
Verse 96 — Surah Yusuf 12:96
Por kur arriti përgëzuesi (sihariqdhënësi) ia vuri atë (këmishën) në fytyrën e tij dhe ai filloi të shohë. “A nuk ju thash – tha – se unë e di nga All-llahu atë çka ju nuk e dini?”
Verse 97 — Surah Yusuf 12:97
“O baba i ynë, - thanë ata, - lutu të na falen mëkatet tona, ne, me të vërtetë, jemi mëkatarë”
Verse 98 — Surah Yusuf 12:98
“Do ta lus, - tha, - Zotin tim t’jua falë. Ai fal dhe është mëshirëplotë”
Verse 99 — Surah Yusuf 12:99
Dhe kur hynë te Jusufi, ai u hodh në përqafim të prindërve të vet dhe tha: “Hyni në Egjipt, në dashtë All-llahu, të sigurt, pa dro!”
Verse 100 — Surah Yusuf 12:100
Dhe ai i vendosi prindërit e vet në rezidencë dhe ata të gjithë iu përulën (bënë sexhde) dhe ai tha: “O baba im, ky është komentimi i ëndrrës time të dikurshme, që Zoti im e bëri realitet dhe me plot bamirësi kur më nxorri nga burgu dhe juve u ka sjellë këtu nga shkretëtira, pasi që djalli pat kurdisur kurtha ndërmjet meje dhe vëllezërve të mi; Zoti im është, me të vërtetë, mirëbërës ndaj atij që do, Ai me siguri është i dijshëm, i urtë!”
Verse 101 — Surah Yusuf 12:101
“O Zoti im, ti më ke dhënë pushtet dhe më ke mësuar të komentoj ëndrra. Krijues i qiejve dhe i tokës, ti jembrojtës imi edhe në këtë botë edhe në botën tjetër. Merrma shpirtin si musliman dhe më shoqëro me punëmirët!”
Verse 102 — Surah Yusuf 12:102
Ja, këto janë nga lajmet e panjohura që ne po t’i shpalojmë ty, dhe ti nuk ke qenë me ata kur kanë vendosur për punën e tyre, sepse ata bënin kurtha
Verse 103 — Surah Yusuf 12:103
Kurse shumica e njerëzve, edhe pse ti dëshiron, nuk janë besimtarë
Verse 104 — Surah Yusuf 12:104
Ti nuk kërkon prej këtyre shpërblim për atë (Kur’anin) ai është këshillë për të gjitha botërat
Verse 105 — Surah Yusuf 12:105
Po sa argumente ka në qiej dhe në tokë pranë të cilëve kalojnë, e ata u kthejnë shpinën atyre
Verse 106 — Surah Yusuf 12:106
Shumica prej tyre nuk i besojnë All-llahut, ata janë politeistë
Verse 107 — Surah Yusuf 12:107
A janë të sigurt se nuk do t’i mbulojë dënimi i All-llahut ose se momenti i fundit nuk do t’iu vijë papritur, e ata hiq nuk do të hetojnë
Verse 108 — Surah Yusuf 12:108
Thuaj: “Kjo është rruga ime, unë thërras te All-llahu, haptazi, unë dhe kush më pason mua. Pra, qoftë lavdëruar All-llahu, se unë nuk jam politeist!”
Verse 109 — Surah Yusuf 12:109
Ne as përpara teje nuk kemi dërguar tjetër, përveç njerëz nga qytetarët, të cilëve u kemi dërguar shpallje. A nuk ecin ata nëpër botë e të shohin si kanë përfunduar ata përpara tyre, ndërsa ajo botë është njëmend më e mirë për ata, të cilët po i drojnë (All-llahut), a nuk do të mblidhni mend
Verse 110 — Surah Yusuf 12:110
Derisa kur profetët gati e humbënin shpresën dhe mendonin se do t’i shpallnin rrenacakë, u arrinte ndihma jonë dhe shpëtonim kë donim, dhe dënimi ynë nuk zmbrapset nga populli mëkatar
Verse 111 — Surah Yusuf 12:111
Në tregimet e tyre ka mësime për ata që kanë mendjen! Dhe nuk ëshëtë bisedë e trilluar (Kur’ani), por përforcim i asaj që ishte para kësaj si edhe sqarim i çdo sendi, udhërrëfim e mëshirë për popullin që beson