më parë udhërrëfyes për njerëzit, dhe ka zbritur Furkanin, që dallon të vërtetën nga e pavërteta. Ata që nuk besojnë versetet e Perëndisë, i pret dënimi i ashpër, se Perëndia është dënues i Plotëfuqishëm
Ai ta ka shpallur Librin ty (Kur’anin). Disa nga versetet janë të qarta, me kuptim konkret e të hapët sheshazi, ato janë themelet e Librit, e për disa të tjera nevojitet komepntimi (pasi që me pak fjalë shprehen shumë kuptime të thella). Ata, që janë zemërkëqinj – priren kah shpjegimi i atyre që janë më pak të qarta, duke krijuar pështjellim dhe duke komentuar sipas dëshirës së vet. Por, komentimin e tyre e di vetëm Perëndia. E, ata që janë thelluar në dijeni thonë: “Na i besojmë (Kur’anit). Të gjitha këto janë nga Zoti ynë!” Këtë e kuptojnë vetëm mendarët
Me të vërtetë atyre që nuk besojnë, nuk do t’i shpëtojë asgjë nga dënimi i Perëndisë, - as pasuria as fëmijët e tyre. Ata do të jenë lëndë djegëse e zjarrit
do të jenë ashtu siç ishin shoqëruesit (ithtarët) e Faraonit dhe ata që ishin para tyre. Ata i përgënjeshtruan versetet tona; prandaj, Perëndia i përlau ata për mëkatet që bënë. Se Perëndia është ndëshkues i rreptë
Ju keni shembullin në dy ushtritë që ishin në konflikt: njëra që luftoi në rrugën e Perëndisë, dhe tjetra – e mohuesve, së cilës i dukej se para vetes ka dy herë më shumë kundërshtarë. Se Perëndia me ndihmën e vet e forcon kend të dojë. Kjo, me të vërtetë, është këshillë për largpamësit
U hijeshua për njerëzit lakmia ndaj grave, fëmijëve, arit dhe argjendit të grumtulluar, kuajve të bukur, bagëtive dhe të lashtave. Këto janë kënaqësitë e kësaj jete; por vendi më i bukur i kthimit është te Perëndia
Thuaj (o Muhammed!): “A doni t’ju lajmëroj juve për gjëra më të mira se ato? Ata që ruhen nga mëkatet, te Zoti i tyre do të kenë kopshte, nëpër të cilat rrjedhin lumenjt, në to do të banojnë përgjithmonë, e bashkëshorte të pastra dhe kënaqësi nga Perëndia”. Se Perëndia i njeh mirë robërit e vet
Perëndia dëshmon se Ai është vetëm një, - por edhe engjëjt, e të diturit (e dëshmojnë këtë), duke qenë të qëndrueshëm në të vërtetën. S’ka zot tjetër përveç Tij. Ai është i Plotëfuqishëm dhe i Gjithëdijshëm
Feja e vërtetë te Perëndia është vetëm Islamizmi. Ata, të cilëve u është dhënë Libri, ranë në konflikt – pasi u erdhi njohuria dhe këtë, për shkak të egoizmit në mes tyre; e kushdo që i mohon argumentet e Perëndisë, Perëndia është i shpejt në llogari
Nëse ata polemizojnë me ty (o Muhammed!) thuaju: “Unë i përulem vetëm perëndisë, si dhe ata që më pasojnë mua”. Dhe thuaju atyre që u është dhënë Libri si dhe analfabetëve (arabëve). “A e keni pranuar Islamizmin?” E, nëse e pranojnë Islamizmin, atëherë kanë gjetur udhën e drejtë. E, nëse refuzojnë, detyra jote është vetëm që t’i thërrashës. Se Perëndia i sheh mirë (ç’punojnë) robërit e vet
Ata që nuk besojnë në dokumentet e Perëndisë dhe vrasin pejgamberët pa farë të drejte, e vrasin edhe ata njerëz të cilët kërkojnë të veprohet me drejtësi, sihariqoi (paralajmëroi) me dënim të dhëmbshëm
A nuk po i sheh ata, të cilëve u është dhënë një pjesë e Librit (Teurati)? Ata thirrën në Librin e Zotit për gjykim në mes tyre, e pastaj, një pjesë e tyre kthyen shpinën, duke qenë refuzues
Thuaj (o Muhammed!): “O Zoti im, Zotërues i gjithë pushtetit! Ti i jep pushtetin kujt të duash, dhe Ti ia heq dorësh pushtetin kujt të duash; Ti e lartëson kënd të duash dhe e poshtëron kënd të duash. E mira është në dorën Tënde! Ti me të vërtetë, për çdo gjë je i Plotëfuqishëm”
Ti bënë që nata të hyjë në ditë, dhe bënë që dita të hyjë në natë (duke u zgjatur herë njëra – hera tjetra). Ti e nxjerr të gjallin prej të vdekurit. Dhe Ti nxjerr të vdekurin prej të gjallit. Ti furnizon kënd të duash pa llogari (pa faturë)
Besimtarët mos t’i marrin për miq qafirat (mohuesit), duke i lënë anash besimtarët. Ata që bëjnë këtë, nuk kanë çka të shpresojnë te Perëndia. Ketë mund ta bëni vetëm për t’u ruajtur nga ata – Perëndia u bënë vërejtje për pezmin e Tij. Dhe, të gjithë do të ktheheni te Perëndia
Thuaju: “Nëse ju fshehni atë që keni në zemrat tuaja, ose e shpallni haptazi, Perëndia e di atë, dhe Ai di çdo gjë që ka në qiej dhe në Tokë. Se Perëndia për çdo gjë është i Plotëfuqishëm
(Kujtoje) Ditën, kur çdokush gjenë atë që ka punuar mirë dhe atë që ka punuar keq; e dëshiron ai që në mes tij dhe të keqes së tij, të ketë distancë të madhe. Perëndia u bënë vërejtje për pezmin e Tij, se Perëndia është fort i dhëmbshëm për adhuruesit e Tij
Thuaju (o Muhammed!): “Nëse ju e doni Perëndinë, eni pas meje, atëherë Perëndia ju do juve dhe ju falë mëkatet tuaja! Se Perëndia falë dhe është mëshirues
(Kujtoje atë kohë, o Muhammed!) Kur gruaja e Imranit tha: “Zoti im, unë Ty të kam përgjëruar (qëllimuar) atë që është në barkun tim, që të shërbejë vetëm Ty; andaj, pranoje prej meje! Se Ti, me të vërtetë, je dëgjues dhe di çdo gjë
E kur ajo e lindi (fëmijën) tha: Zoti im! Unë lindra femër, - Perëndia di më mirë çka lindi ajo, - “Mashkulli nuk është si femra, unë e emërova atë Merjem dhe ta kam lënë atë dhe brezin e saj nën mbrojtjen Tënde nga djalli i mallkuar”
Dhe Zoti i saj e pranoi mirë atë (gocën), e bëri që të rritet bukru dhe e la nën kujdestarinë e Zekerias. Sa herë që hynte Zekeriai në dhomën e saj (në xhami), gjente pranë saj ushqim. (Atëherë ai¬¬) e pyeste: “O Merjem! Nga të vie ky furnizim ty?” Ajo përgjigjej: “Ky është nga Perëndia, se Perëndia e furnizon kënd të dojë, pa llogari (faturë)”
E thirrën atë engjëjt, duke u lutur ai në këmbë, në xhami (e i thanë): “Perëndia po të sihariqon ty me Jahjanë, (i cili do të jetë) vërtetues i fjalës së Perëndisë, (dhe do të bëhet) udhëheqës (i popullit), ruajtës i vetvetes dhe (do të jetë) nga pejgamberët, pasardhës i atyre të mirëve”
(Zekerijaja) tha: “Zoti im! Qysh do të ketë djal për mua, kur mua më ka kapluar pleqëria, e gruaja ime është sterile (shterpë)? (Ai) i tha: “Kështu!” Perëndia punon çka të dojë
(Zekerijaja) tha: “O Zot! (bënma një shenj!” (Zoti) i tha: “Shenj për ty është se tri ditë nuk do të (mund të) flasish me njerëzit, veçse me gjeste. Por, Zotin tënd përmende shumë dhe adhuroje Atë në mbrëmje dhe në mëngjes”
(kujtoje) kur engjëjt i thanë (Merjemes): “O Merjeme! Perëndia të ka zgjedhë ty, të ka pastruar ty, dhe të ka privilegjuar ty mbi të gjitha femrat e botës
Këto janë lajme të panjohura (sekrete). Na po t’i shpallim ty (o Muhammed). Ti nuk ishe i pranishëm kur ata hedhën short, se kush nga ata do të marrë Merjemën në mbrojtje. Dhe ti nuk ishe i pranishëm kur ata grindeshin
(Kujtoje) atë kohë kur engjëjt i thanë: “O Merjeme! Perëndia të sihariqon ty me një djalë: emrin do ta ketë Mesih – Isa i biri i Merjemit, do të bëhet i famshëm në këtë botë dhe në tjetrën dhe do të jetë njëri nga të afërmit e Perëndisë
Merjemi tha: “Zoti im! Qysh do të kem unë fëmijë, kur nuk më ka prekur asnjë mashkull?” – Ja kështu – tha: “Perëndia krijon ç’të dojë Ai. Kur vendos diçka, Ai vetëm thotë për të: ‘Bëhu!’ – dhe ajo bëhet”
e (pastaj) do ta dërgojë atë Pejgamber te bijtë e Israelit (të cilëve do t’u thotë): “U solla një mrekulli nga Zoti juaj”. Do të bëjë diçka prej balte në formë shpendi, dhe do të fryejë në te, e me urdhërin e Perëndisë do të bëhet shpend. Dhe do të shërojë të verbëtit dhe abrashët dhe me emrin e Perëndisë do t’i ngjallë të vdekurit. Ju informojë juve çka hani dhe çka ruani në shtëpitë tuaja. Në këto, nëse jeni besimtarë të vërtetë, me të vërtetë, ka argumente për ju
Dhe (u kam ardhur juve) për t’ju vërtetuar Teuratin që është para meje dhe t’ua lejoj disa gjëra që i keni pasur të ndaluara. Dhe ju kam sjellur argumentin nga Zoti juaj. Druajuni Perëndisë dhe bindmuni
Kur Isai e hetoi mohimin e tyre, tha: “Kush janë ndihmëtarët e mi në rrugën e Perëndisë?” Nxënësit (e tij) u përgjegjën: “Na jemi ndihmëtarët e fesë së Perëndisë, na besojmë Perëndinë e ti Isa bëhu dëshmitar se na jemi muslimanë
Dhe ata (mohuesit) përgatitën dinakëri (dredhi të keqe); por Perëndia ua ktheu më me dinakëri. Se Perëndia është më i përsosuri në dinakëri (për qëllime të mira)
(Kujtoje, o Muhammed!) kur Perëndia tha: “O Isa! Unë do të vdes ty (pasi ta plotësoj jetën e caktuar, hebrenjt nuk do të mbysin ty) dhe do të marrë pranë vetes dhe do të shpëtojë nga ata që nuk besojnë, dhe do t’i bëj ata që të ndjekin ty, për mbi ata që të mohojnë, deri në Ditën e Kijametit. Pastaj, do të ktheheni tek Unë, e do të gjykoj në mes jush për çështjet që jeni grindur
Kushdo që të bëjë polemikë me ty për çështje të Isait, pasi të ka ardhur njohuria, thuaj: “Ejani, (e) po i thërrasim bijt tonë dhe bijt tuaj, gratë tona dhe gratë tuaja, dhe po e thërrasim na dhe ju veten, pastaj, të lutemi, që mallkimi i Perëndisë t’i goditë gënjeshtarët!”
Thuaj: “O ithtarët e Librit, kujtonie tregimin, që është për ne dhe për ju: “T’i shërbejmë vetëm Perëndisë që të mos i bëjmë shoq asgjë Atij, që njëri-tjetrin mos ta konsiderojmë për zot, në vend të Perëndisë!” E nëse ata kthehen nga kjo e vërtetë, thuaju atyre: “Bëhuni dëshmitarë se ne jemi muslimanë!”
Ju po polemizoni për atë, për të cilin dini diçka; por, pse polemizoni për atë, për të cilën s’dini asgjë? Perëndia e di hollësisht, e ju nuk dini asgjë për këtë çështje
S’ka dyshim, se, më të afërmit e Ibrahimit, janë ata njerëz, që kanë pasuar atë dhe ky Pejgamber (Muhammedi) me besimtarët (e tij). Perëndia është mbrojtës i besimtarëvet
Një grup ithtarësh të Librit kanë thënë: “Besonie në mëngjes atë që u ka zbritur muslimanëve (Kur’anin), por në mbrëmje mohonie atë; meqë, ndoshta edhe ata (muslimanët) do të shmangën”
(Mohuesit thanë): “Dhe besoniu vetëm atyre që ndjekin fënë tuaj!” Thuaj (O Muhammed!): “Udhëzimi i Perëndisë shtë udhëzimi i vërtetë”. (Vallë), a t’u jepën ndokujt argumentet siç u janë dhënë juve, apo (vallë) ata t’i marrin (dëshmitë e veta) si arsyetim kundër jush te Zoti juaj? Thuaj (O Muhammed!): “Dhuntia është në dorë të Perëndisë. Ai ia jep atë kujt të dojë; - se, Perëndia është mirëbërës i madh dhe i Gjithëdijshëm
Ka edhe aso ithtarësh të Librit, që sikur t’u besosh një barrë të tërë ari, do t’jua kthejnë, por ka edhe të atillë që nëse ua jep në besim, qoftë edhe një dinar, nuk ta kthen, përveç nëse nuk i ndahesh (me ankesë e kërkesë). Kjo është kështu, ngase ata thonë: “Neve nuk na obligon asgjë ndaj analfabetëve”. Ata flasin gënjeshtra për Perëndinë, e ata e dinë (se vetë janë gënjeshtarë)
Jo! (nuk është ashtu si thanë hebrenjt), por kushdo që plotëson premtimin e tij dhe ruhet nga të këqijat, Perëndia, me të vërtetë, i don ata që i drojnë Atij
Me të vërtetë, ata që obligimin dhe betimin e tyre ndaj Perëndisë, e shkëmbejnë me vlerë të vogël – për ta nuk do të ketë kurrfarë të mire në jetën e ardhshme, dhe Perëndia nuk ka për t’ju folur atyre, as nuk do t’i shikojë (me sy të mirë në Ditën e Kijametit), dhe as nuk do t’i pastrojë prej mëkatësh, e për ta ka dënim të rëndë
Me të vërtetë, një grup nga ithtarët e Librit përdredhin gjuhët e tyre (duke lexuar Librin), që të mendoni ju se ai farë leximi është prej Librit, e ajo në të vërtetë nuk është prej Librit. Dhe ata thonë: “Kjo që lexojmë është nga Perëndia”; por, ajo nuk është nga Perëndia. Ata flasin gënjeshtra për Perëndinë, e ata e dinë këtë
Nuk mund të mendohet, që njeriut, të cilit, Perëndia ia ka dhënë Librin dhe dijeninë e gjërë dhe profetninë, e ai t’u thotë njerëzve: “Bëhuni adhuruesit e mi, e jo të Perëndisë”. Por, ai (profeti) thotë: “Bëhuni të Zotit, meqë keni mësuar Librin dhe po mësoni!”
Ai njeri nuk do t’ju urdhërojë juve që engjëjt dhe profetnit t’i konsideroni për zotra. Vallë! Si mund t’ju urdhërojë ai juve të bëheni mohues, pasi jeni bërë muslimanë
Kujtoje (o Muhammed!) atë kohë kur Perëndia mori obligimin nga pejgamberët (e ju tha): “Unë ua solla Librin dhe dijeninë e kur t’ju vijë juve Pejgamberi, vërtetues i asaj që keni ju, padyshim do t’i besoni dhe do ta ndihmoni atë”. (Perëndia) u tha atyre: “A e pranuat këtë dhe a morët obligimin Tim?” Ata u përgjegjën: “E pranuam”. (Perëndia) u tha: “Bëhuni dëshmitarë (i njëri-tjetrit), se edhe Unë bashkë me ju jam dëshmitar”
A mos kërkojnë ata tjetër, përveç fesë së Perëndisë? E, Atij i përulën të gjitha ato që gjenden në qiej dhe në Tokë, me dashje ose padashje, dhe tek Ai do të kthehen të gjithë
Thuaj (o Muhammed!): “Na besojmë Perëndinë dhe atë që na është shpallur neve, dhe çka i është shpallur Ibrahimit, Ismailit, Is’hakut, Jakubit, pasardhësve të tyre dhe në atë që u është dhënë Musait, Isait dhe pejgamberëve nga Zoti i tyre; - na nuk bëjmë kurrfarë dallimi në mes tyre. Na vetëm Atij (Perëndisë) i përulemi (na jemi muslimanë)”
Perëndia nuk i udhëzon në rrugë të drejtë njerëzit që janë bërë mohues, pasi që patën besuar dhe dëshmuan se Pejgamberi është i vërtetë, e ju prezentuan atyre edhe dokumentet e qarta. Populli që është këmbëngulës në të keqe, Perëndia nuk e udhëzon në rrugë të drejtë
Ata që janë mohues dhe vdesin mohues, me të vërtetë nuk do t’u pranohet as shpërblesa e tyre, sikurse ajo të ishte sa e tërë toka e mbuluar me ar. Ata i pret dënim i rëndë dhe për ta nuk ka ndihmëtarë
Të gjitha ushqimet kanë qenë të lejuara për bijt e Israilit, përveç asaj që Israili ia ndaloi vetes para shpalljes së Teuratit. Thuaj (o Muhammed!): “Silleni Teuratin dhe lexonie nëse flisni të vërtetën!”
Në të ka shenja (simbole të dukshme, siç është) vendi i Ibrahimit (mekami Ibrahim). Kush hyn në të është i sigurt. Perëndia i ka obliguar njerëzit, ata që kanë mundësi t’i përballojnë rrugës, ta vizitojnë (haxhxhillëk) këtë Faltore. E kush i mohon urdhërat e Perëndisë (e dëmton veten). Se, me të vërtetë, Perëndia nuk ka nevojë për asgjë
Thuaj: “O ithtarët e Librit! Pse atë që beson e prapësoni nga rruga e Perëndisë, e ju e dini që feja islame është fe e vërtetë. Se Perëndia nuk është i pakujdesshëm ndaj veprave që punoni ju
E si mund të mohoni kur juve u lexohen versetet e Perëndisë dhe në mesin tuaj është Pejgamberi i Tij?! E kush mbahet fortë me Perëndinë (Kur’anin), ai është i drejtuar në udhë të mbarë
Dhe të gjithë ju mbahuni fortë për litarin e Perëndisë (Kur’anin) dhe mos u shpartalloni. Dhe kujtonie dhuntinë e Perëndisë (që u është dhënë) juve; kur ishit në armiqësi, e u japtoi zemrat tuaja e në saje të dhuntisë së Tij u bëtë vëllezër. Dhe ju ishit buzë greminës e skëterrës, ndërsa Ai ju shpëtoi juve nga ajo. Kështu Perëndia ua shpjegon versetet e veta për t’u drjtuar ju në udhën e drejtë
Le të bëhet një grup prej jush që do të thërrasë në të mirë, e që të urdhërojë vepra të bukura e të ndalojë prej të shëmtuaravet! E, ata njerëz do të jenë të shpëtuar
atë ditë (të Kijametit) kur disa fytyra do të zbardhen, e disa do të nxihen. Atyre që u nxihet fytyra u thuhet: “Pasi ishit besimtarë, përse u bëtë mohues? Prandaj, shijonie dënimin për shkak se nuk besuat!”
Ju (besnikët e Kur’anit) jeni njerëzit më të mirë nga i gjithë populli që janë paraqitur ndonjëherë: dhe besoni Perëndinë, kërkoni që të punohen vepra të mira, e të shmangen nga të këqijat. E, sikur ithtarët e Librit të besonin do të ishte më mirë për ta, ka prej tyre besimtarë të vërtetë, por shumica e tyre janë të këqinj
Kudo që gjenden ata janë të kapluar nga poshtërsia, përpos atyre që janë mbështetur në vargonin e Perëndisë e të njerëzve; ata do të meritojnë pezmin e Perëndisë dhe do t’i kaplojë mjerimi, për shkak se mohuan dokumentet e Perëndisë, e pa kurrfarë të drejte, i mbytnin Pejgamberët; nuk u përulën dhe kaluan kufirin në të këqija
Ata besojnë Perëndinë dhe Ditën e Kijametit dhe insistojnë për vepra të mira, e të pengohen nga ato të shëmtuarat dhe prijnë kah e mira. Këta janë ndër të mirët
Ata që nuk besojnë, nuk do t’i mbrojë nga dënimi i Perëndisë as pasuria e tyre e as fëmijët e tyre, asgjë. Ata jën banorët e skëterrës ku do të qëndrojnë përgjithmonë
Ate, që japin ata (mohuesit) në jetën e kësaj bote, i përngjanë frymës së akulltë, e cila goditë të lashtat e ndonjë populli që i kanë bërë dëm vetes (me mëkate), e ua zhdukë të lashtat. Perëndia nuk u ka bërë dëm atyre, por ata i kanë bërë dëm vetes
O besimtarë! Mos zgjidhni për miq në mesin e të tjerëve, të cilët nuk ngurrojnë që t’ju bëjnë dëm. Ata dëshirojnë dëmin tuaj. Urrejtja është shfaqur prej gojës së tyre, e atë që e fshehin në zemrën e tyre, është edhe më e madhe. Na, ju shpjeguam versetet (ajetet), nëse mendoni ju
Ju jeni asi njerëzish që i doni ata, por ata nuk ju duan juve! Dhe ju u besoni të gjitha libravet. Kur ata ju takojnë juve, thonë: “Na besojmë”, e kur të mbeten vetëm, nga pezmatimi ndaj jush, ata i kafshojnë majet e gishtave me dhëmbë. Thuaju: “Vdisni me pezmatimin tuaj. Se Perëndia me të vërtetë di ç’keni në zemrat tuaja”
Nëse juve u vjen ndonjë e mirë, at ai brengosë ajo, e nëse juve u gjen ndonjë e keqe, ata gëzohen për atë. Nëse ju duroni dhe ruheni nga mëkatet, dhelpëritë e tyre nuk mund të ju dëmtojnë asgjë. Se Perëndia ngërthen (në dijeninë e Tij) çdo gjë që punojnë ata
kur dy grupe nga ju menduan të kthehen prej frikës, Perëndia është ndihmëtar i tyre (e nuk ka nevojë të kthehen). Andaj besimtarët le të mbështeten vetëm te Perëndia
Po! Po! (Ju mjaftojnë). Nëse ata ju sulmojnë, bëhuni të durueshëm dhe të dëgjueshëm dhe Zoti juaj menjëherë do t’ju dërgojë në ndihmë pesë mijë engjëj, të shënuar me shenj të dalluar
Perëndia e bëri këtë për t’ju sihariquar juve dhe për t’jua qetësuar zemrat. Se fitorja (ndihma) është vetëm nga Perëndia i Plotëfuqishëm dhe i Gjithëdijshëm
Ty (o Muhammed!) nuk të përket asgjë (lidhur me këtë çështje), se a do t’ua pranojë Ai (Perëndia) pendimin e atyre apo do t’i dënojë, se ata me të vërtetë janë zullumqarë
Nxitoni kah falja e mëkateve nga Zoti juaj dhe xhenneti, hapësira e të cilit është sa qielli e Toka; i cilit është përgatitur për ata që i ruhen Perëndisë (duke punuar vepra të mira)
dhe ata, që kur bëjnë vepra të turpshme ose i bëjnë dëm vetes, e kujtojnë Perëndinë – dhe kërkojnë falje për mëkatet e tyre. E kush falë mëkatet përveç Perëndisë? – Ata nuk ngulmojnë në atë që kanë punuar, e ata e dinë këtë
Shpërblimi i tyre është falja madhështore (e mëkateve) nga ana e Zotit të tyre dhe xhennetet nëpër të cilët rrjedhin lumenjt! E në to do të qëndrojnë përherë. Sa shpërblim i bukur është ky, për ata që punojnë vepra të bukura
Nëse ju ka goditur juve ndonjë plagë edhe popullin (armik) e kanë goditur aso plagë. Ato ditë Na i ndërrojmë midis njerëzve (me triumf dhe disfatë) për t’i dalluar besimtarët e durueshëm dhe për t’i bërë disa nga ju dëshmorë. Se Perëndia nuk i donë zullumqarët
Muhammedi është vetëm Profet. Por, edhe para tij ka pasur pejgamberë. E, nëse ai vdes ose vritet, a mos do të ktheheni ju prapa? Kushdo që kthehet prapa (në fe të gabuar) nuk i bënë kurrfarë dëmi Perëndisë. Se, Perëndia do t’i shpërblejë falenderuesit
Çdo gjallesë vdes vetëm me vendimin e Perëndisë, në kohë të caktuar. Kush dëshiron mirësitë e kësaj bote, Na ia japim, e kush dëshiron shpërblimin e botës tjetër na ia japim, dhe me siguri i shpërblejmë falenderuesit
Sa e sa pejgamberë bashkë me shumë besimtarë të vërtetë luftuan, e megjithatë nuk u përkulën për ato që u goditën në rrugën e Perëndisë, as nuk u demoralizuan as nuk u dobësuan. Perëndia i don durimtarët
Na do të mbjellim frikë në zemrat e mohuesve, sepse ata i bëjnë shok Perëndisë, për të cilën Zoti nuk ka dhënë kurrfarë argumenti. Vendbanimi i tyre është zjarri, e sa vendstrehim i shëmtuar është ky për mohuesit
Me të vërtetë, Perëndia e realizoi premtimin e vet, kur ju me vullnetin e Tij e thyet armikun. Por kur ju, lidhur me detyrën që u ishte caktuar, u demoralizuat e u grindët në mes vet dhe kundërshtuat, e Ai madje u tregoi atë që e dëshironit, - disa nga ju e dëshirojnë këtë botë, kur disa nga ju dëshirojnë botën tjetër; - pastaj Ai, për t’ju provuar juve, bëri që të zmbrapseni para armikut. Dhe, me të vërtetë, Perëndia ju fali juve atë gabim. Se, Perëndia është pronar i mirësisë së madhe për besimtarët
Kujtonie ju atë kur ngjiteshit malit dhe nuk vinit vesh për askend, e dëshironit, - disa nga ju e dëshirojnë këtë botë, kurse disa nga ju Ai ju dënoi juve me dëshprim pas dëshprimi (për padëgjueshmëri ndaj Profetit dhe Perëndisë), që të mos pikëlloheni për atë që ju doli duarsh (fitorja), as për atë që u goditi juve (humbja). E Perëndia i di të gjitha ç’punoni ju
Pastaj (Perëndia), pas dëshpërimit, ju dërgoi juve një qetësi – gjum, që e kaploi një grup prej jush, kurse grupi tjetër kujdeseshin vetëm për vetveten, duke menduar për Perëndinë të pavërtetën (ndihmën e Profetit), ashtu si mendonin paganët. Ata thoshin: “Ku është fitorja që na ishte premtuar?” Thuaju (o Muhammed!): “Për të gjitha vendosë vetëm Perëndia!” Ata fshehin në vete atë që nuk duan ta shfaqin ty. Ata thonë: “Sikur të pyeteshim ne për këtë gjë, nuk do të vriteshim këtu”. Thuaju: “Dhe sikur të kishit qenë nëpër shtëpitë tuaja, prapëseprapë atyre që u është shkruar të vriten, do të dilnin në atë vend të vrasjes, - e Perëndia juve në luftë ju then për t’ju gjurmuar dhe për t’ju pastruar atë që keni në zemrat tuaja. Se Perëndia, me të vërtetë din ç’keni në zemrat tuaja
Ata, nga mesi i juaj që u zmbrapsën në ditën kur u ndeshën të dy ushtritë, në të vërtetë, djalli i shtyri në gabim, për shkak të disa mëkateve që kishin bërë. E, Perëndia, madje, ua fali (gabimin), sepse – Perëndia është falës dhe i butë
O besimtarë! – mos bëni si mohuesit që u thonin vëllezërve kur (këta) niseshin në udhëtim ose në luftim: “Sikur të rrinit me ne, nuk do të vdisnit as nuk do të vriteshi” – që këtë Perëndia t’ua bëjë pikëllim në zemrat e tyre; edhe jeta edhe vdekja janë vepër e Perëndisë. Ai i sheh të gjitha punët që bëni ju
Nëse ju vriteni ose vdisni në udhë të Perëndisë, falja (e mëkatëve) dhe mëshira e Perëndisë, me të vërtetë, janë më të mira nga ato që kanë grumbulluar ata
Në saje të mëshirës së Perëndisë, u solle butësisht me ta (o Muhammed!) – e sikur të ishe i ashpër dhe vrazhdë, ata do të largoheshin prej teje. Falju gabimin atyre dhe kërko falje te Perëndia për ta, e bisedo me ta për punë të jetesës. Kur të vendosish për diçka, mbështetu te Perëndia. Se Perëndia me të vërtetë, i don ata që mbështeten tek Ai
Nëse ju ndihmon Perëndia, s’ka kush t’ju mposht juve, e nëse ju turpëron juve, kush është ai që do t’ju ndihmojë përveç Tij (pas atij turpërimi)? Pra, besimtarët vetëm te Perëndia le të mbështeten
Është e pamundur për ndonjë Pejgamber, që të bëjë farë mashtrimi (të marrë fshehurazi nga pasuria e luftës), e kushdo që të bëjë mashtrim do të vijë (i ngarkuar me këtë mëkat) në Ditën e Kijametit, e pastaj do t’i jepet çdokujt ajo që ka punuar dhe askujt nuk do t’i bëhet padrejtësi
Vallë! A mund të krahasohet ai që gëzon kënaqësinë e Perëndisë me atë që ka merituar pezmin e Perëndisë. Strehimi i tij (mëkatarit) është skëterra. E, sa strehim i keq është ai
Perëndia i dhuroi besimtarët me dhuratë të madhe, meqë nga mesi i tyre u dërgoi Profet i cili u lexon atyre ajetet e Tij, i pastron ata nga mëkatet dhe ua mëson Kur’anin e diturinë e hollë. Ata, më parë, me të vërtetë, ishin në rrugë krejtësisht të gabuar
Kur ju goditi juve fatkeqësia (në Uhud), e ju më parë i patët goditur armiqët tuaj dyfish (në Bedër), thatë ju: “Prej nga na erdhi neve kjo?!” Thuaj (o Muhammed!): “Kjo është prej vetë juve”. Perëndia, me të vërtetë, është i Plotëfuqishëm
dhe për t’i zbuluar hipokritët, e kur iu tha atyre: “Ejani të luftoni në rrugën e Perëndisë, ose të paktën mbrohuni!” – ata u përgjigjen: “Sikur ta dinim që do të bëhet luftë e vërtetë, na, me siguri, do t’ju pasonim”. Atë ditë ata ishin më afër mohimit sesa besimit, sepse me gojën e tyre flisnin atë, që nuk e kishin në zemrat e tyre, - se, Perëndia i di mirë ato që i fshehin ata
Atyre që nuk luftuan e u thanë vëllezërve të vet: “Sikur të na dëgjonit neve nuk do të mbyteshit”, thuaju: “Prapsojeni vdekjen nga vetja, nëse flisni të vërtetën!”
Janë të gëzuar për atë që ua ka dhënë Perëndia nga dhuntitë e Tij dhe sihariqohen me ata të cilët ende nuk u janë bashkuar (shoqëruar) dhe që kanë ngelur pas tyre, meqë nuk do të ketë kurrfarë frike dhe të cilët për asgjë nuk do të pikëllohen
Ata që pas disfatës që pësuan (në Uhud), iu përgjigjën thirrjes së Perëndisë dhe të Pejgamberit, dhe për ta, të cilët kanë bërë mirësi dhe që iu kanë druajtur (Perëndisë), ka shpërblim të madh
atyre, të cilëve u thanë njerëzit: “Armiku është përgatitur kundër jush, frikohuni!” Kjo përkundrazi ua shtoi atyre besimin, e thanë: “Neve na mjafton Perëndia, dhe Ai është mbrojtës i mrekullueshëm!”
Ata u kthyen (nga Bedri) me dhuntitë dhe begatitë e Perëndisë, nuk i gjeti asgjë e keqe dhe bënë që Perëndia të jetë i kënaqur. Perëndia është Zot i begatisë së madhe
Mos të brengosin ty (o Muhammed!) ata që nxitojnë në mohim. Sepse, me të vërtetë ata nuk mund t’i bëjnë kurrfarë dëmi Perëndisë. Perëndia don që të mos i shpërblejë ata me kurrfarë dhurate në botën tjetër; dhe për ata ka ndëshkim të madh
Le të mos mendojnë kurrsesi mohuesit, që për ata është mirë ajo, që u zgjasim jetën. Na, me të vërtetë ua zgjasim jetën atyre vtëm për t’i shtuar ata gabimet; dhe për ata ka ndëshkim poshtërues
Perëndia nuk i le besimtarët në gjendjen që ndodheni ju (tash të përzier – muslimani i vërtetë me hipokritin) përderisa të mos e ndajë të keqin prej të mirit. Perëndia nuk do t’ua tregojë ate që është e fshehur, pro Perëndia zgjedh atë që të dojë nga Pejgamberët e Tij. Besoni Perëndinë dhe Pejgamberët e Tij! Nëse besoni dhe ruheni (prej hipokritit), u do të keni shpërblim të madh
Kurrsesi le të mos mendojnë ata se është mirë për ta që bëhen dorështrënguar e koprracë me dhuntitë që ua ka dhënë Perëndia atyre; jo, kjo është keq për ta. Padyshim, koprracia do t’u ngarkohet atyre në qafë Ditën e Kijametit. Të Perëndisë janë trashëgimi i qiejve dhe i Tokës, dhe Perëndia e di mirë ç’punoni ju
Perëndia i dëgjon fjalët e atyre që thanë: “Perëndia është i varfër, kurse na jemi të pasur”. Na do ta shënojmë atë që thanë ata si dhe mbytjen e pejgamberëve pa kurrfarë të drejte dhe do t’u themi Ne atyre: “Shijonie dënimin në zjarrë!”
Ata (Hebrenjt) thonë: “Perëndia na ka urdhëruar që të mos i besojmë asnjë pejgamberi për derisa të mos na sjellë një kurban që ta përbijë zjarri”, - thuaju (o Muhammed!): “U kanë sjellë juve pejgamberët para meje argumente edhe për atë që thoni ju, e pse i mbytët ata nëse jeni të sinqertë?”
Nëse ata ty (o Muhammed!) të konsiderojnë për gënjeshtar, mos u hidhëro! Se janë përgënjeshtruar edhe pejgamberë të tjerë që kanë ardhur para teje dhe kanë sjellë dokumente, broshura dhe Libër ndriçues
Çdo qenie e gjallë do ta shijojë vdekjen. Shpërblimet do t’u plotësohen vetëm në Ditën e Kijametit, dhe kushdo që largohet nga zjarri i xhehennemit (skëterrës) dhe hyn në xhennet, ai ka arritur atë që ka dëshiruar. E, jeta e kësaj bote është vetëm kënaqësi mashtruese
Ju me siguri do të viheni në provë me pasurinë tuaj dhe me jetën tuaj dhe ju do të dëgjoni shumë fyerje nga ana e atyre që u është dhënë Libri pra jush dhe nga paganët. Nëse jeni durimtarë dhe i druani Perëndisë, me të vërtetë, ajo është vendosmëri (e madhe) në vepër
Kujtoje (o Muhammed!) kohën kur Perëndia mori premtimin nga ata, që u është dhën Libri se do t’ua shpjegojnë atë njerëzve dhe me siguri nuk do të fshehin asgjë nga ai; e ata pastaj e hodhën pas shpine (nuk vepruan sipas tij) dhe atë (premtimin) e ndërruan për një vlerë të vogël. E, sa këmbim i shëmtuar është ai që bënë ata
Mos i konsidero ata, të cilët gëzohen për ate që kanë punuar (të mshehurit e së vërtetës) dhe dëshirojnë të jenë të lavdëruar për atë që nuk e kanë punuar. Kurrsesi mos mendo se ata do të gjenden në një vend – shpëtimi; se për ata ka ndëshkim të rëndë
për ata që e përmendin Perëndinë duke qëndruar në këmbë, dhe ndenjur, shtrirë; dhe që mendojnë në krijimin e qiejve dhe të Tokës. (Dhe thonë): “O Zoti ynë! Nuk i ke krijuar kot këto”, - falenderojmë Ty – dhe ruana nga ndëshkimi i zjarrit
O Zoti ynë! Na dëgjuam grishtarin që na grishte në besim: “Besoni Zotin tuaj!” E, besuam. O Zoti ynë! Falna mëkatet tona dhe shkarkona nga gabimet, e pas vdekjes na radhit me të mirët
o Zoti ynë! Epna shpërblimin që na ke premtuar me anën e pejgamberëve Tu dhe mos na poshtëro në Ditën e Kijametit! Se, Ti, me të vërtetë, nuk shmangesh nga premtimi i dhënë
Dhe Zoti iu përgjegj lutjes së tyre: “Unë, nuk ia humbi mundin asnjë punëtori nga ju, qoftë mashkull apo femër, - ju jeni të gjithë (të barabartë në shpërblim). Atyre që emigruan, dhe u dëbuan nga vatrat e tyre, dhe u munduan në rrugën Time, dhe luftuan e u vranë, Unë me siguri, do t’ua mbuloj veprat e këqija (me falje) dhe do t’i shpie në kopshtije, nëpër të cilat rrjedhin lumenj, - shpërblim nga Perëndia. E, shpërblimi më i mirë është te Perëndia
Por, për ata që i druajnë Perëndisë, për ata ka kopshtije, nëpër të cilat rrjedhin lumenj, në të cilat (kopshtije) do të banojnë përherë, - duke qenë këto dhurata të përgatitura prej Perëndisë, e për besimtarët e vërtetë më e mira dhuratë është ajo që është prej Perëndisë
Në mesin e ithtarëve të Librit, me siguri ka të atillë që besojnë Perëndinë dhe ate që u është shpallur juve dhe ate që u është shpallur atyre, janë të përulur Perëndisë, nuk i këmbejnë versetet e Perëndisë me ndonjë vlerë të pakët; ata kanë shpërblimin e tyre te Zoti i tyre. Se, Perëndia, me të vërtetë, është llogaritar i shpejtë
O besimtarë! – bëhuni të durueshëm dhe të qëndrueshëm (në durim), bëhuni të vendosur (në kufi të armikut), dhe kinie frikë Perëndinë, për ta arritur shpëtimin e dëshiruar